Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka ofruar kredi komunës së Prishtinës në vlerë prej pesë milionë eurosh.
Me këtë rast, komuna e Prishtinës njoftoi se kjo kredi do të përdoret për investim në masat për efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike.
“Sot, kryetari Rama me BERZh-in institucionalizuan bashkëpunimin nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Kredisë për implementimin e këtij projekti, i cili ka për qëllim investimin në masat për efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike (kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor primar) duke përmirësuar dhe ndërruar sistemet e ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dyerve dhe dritareve më efiçiente”.
Në njoftim thuhet se komuna e Prishtinës është tejet e përkushtuar për të shtyrë përpara projekte të cilat janë në harmoni me ruajtjen e ambientit.
“Komuna e Prishtinës është tejet e përkushtuar për të shtyrë përpara projekte të cilat janë në harmoni me ruajtjen e ambientit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e energjisë efiçiente, për të zvogëluar nivelin e ndotjes së ajrit në Kryeqytet dhe më gjerë”.