Sot, në Kosovë qëndron Presidenti i Lëvizjes Paneuropa për Gjermani, Bernd Posselt. Ai pranon sot medaljen Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, të cilën në një ceremoni rasti do t’ia dhurojë presidentja Vjosa Osmani, ndërsa do të ketë takime me shumë zyrtarë të lartë të vendit.
Bernd Posselt për 20 vjet rresht ka qenë eurodeputet në Parlamentin Evropian në Bruksel nga radhët e Unionit Social Kristian – CSU, të Bavarisë. Posselt pranon sot medaljen Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, të cilën në një ceremoni rasti do t’ia dorëzojë presidentja e vendit Vjosa Osmani, pasi gjatë gjithë karrierës së tij poltike ai ka mbështetur në vazhdimësi luftën e Kosovës për pavarësi dhe shtetndërtim.
Gjatë qëndrimit sot në Kosovë, Possselt ka një agjendë të ngjeshur. Ai do të ketë takime me ministren e Jashtme Donika Gervalla, Kryetarin e Parlamentit Glauk Konjufca, dy nënkryetarët e Kuvendit: Enver Hoxha dhe Anton Cuni, ish Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun, Ipeshkvin e Kosovës Dodë Gjergjin, e tjerë.
“Për mua është e rëndësishme të flas me aktorë të ndryshëm politikë në vend gjatë vizitës sime në Republikën e Kosovës në një kohë shumë dinamike” tha Posellt në një deklaratë ekskluzive për Radio Kosovën, teksa shtoi se ndihej i nderuar që sot pranon medaljen Presidenciale Ibrahim Rugova.
Posellt është President i Bashkimit Pan-Evropian të Gjermanisë, anëtar i komitetit ekzekutiv të partisë CSU, ndërsa ka qenë edhe Raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian për një kohë të gjatë. Nga vitit 1994 deri në vitin 2014 ka qenë erurodeputet kurse që nga viti 1990 ka qenë një përkrahës i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Bernd Posselt ka qenë për shumë vite miku dhe kolegu më i afërt i Otto von Habsburg-ut dhe mik i ngushtë Presidentit Ibrahim Rugova .
President i Bashkimit Pan-Evropian të Gjermanisë, në vizitën e tij në Kosovës shoqërohet nga Christian Hoferer, President i Rinisë Pan-Europiane të Gjermanisë.