Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq e ka përmendur kryeministrin e Kosovës, derisa ka folur për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Washingtonit.
Bërnabiq mendon se këto marrëdhënie kanë ndryshuar nga nisma e Ballkanit të Hapur.
“Ajo që ka ndryshuar është se ata tani dëgjojnë edhe anën tonë të argumenteve… Ata janë më eksplicit se BE-ja në atë kritikë ndaj Prishtinës dhe Albin Kurtit, për atë që nuk është bërë dhe për qëndrimin e tyre të pasinqertë, duke mos u formuar Asociacionin”, ka thënë Brnabiq për TV Pink.
E pyetur për ta komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Nikolla Selakoviq, i cili e quajti “Hitler të vogël” kryeministrin Kurti, Bërnabiq – saktësisht siç do të pritej – e tha po të njëjtën gjë.
“Ai përpiqet ta krijojë një Shqipëri të Madhe, dhe kjo është ajo që propaganduan nazistët. Është adekuate ta quash Kurtin Hitler i vogël” tha Bërnabiq.
Sipas saj, në Kosovë ka shqetësim se situata mund të përshkallëzohet.