Bundesliga pas më shumë se dy muaj është rikthyer. Sot është zhvilluar xhiro e 26-të e kampionatit gjerman, duke u bërë kampionati i parë që rifllon pas pezullimit për shkak të pandemisë “Covid19”.
Sot ka zhvilluar ndeshjen edhe klubi i yllit të Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, Fortuna Dusseldorf.
Mesfushori Berisha në një prononcim ekskluziv për Objektiv deklaroi se ishte më ndryshe se sa ndeshjet e kaluara, por ai theksoi se shëndeti është primar. “Ishte ndjenjë pak ma ndryshe, normal se tifozët nuk ishin më shkallët e stadiumit, ishte shumë qetë në stadium por shëndeti është primar kështu që të vazhdojmë duke i respektuar rregullat, si ndjenjë ishte si një ndeshje miqësore, megjithëse për pikë”.
Ylli i Kosovës ishte nga minuta e parë dhe zhvilloi 69 minuta. Por, fati nuk ishte me të pasi dy herë iu mohua goli nga shtylla.
“Fati sot nuk ishte me ne, zhvillova një ndeshje të mirë, godita dy shtylla por ndeshja përfundoi pa gola. Shpresoj shumë që të ndryshojë në ndeshjet e radhës”, shtoi ai.
“Me rregulla nuk ishte ndonjë problem i madh çdo gjë ishte në rregull, i kemi respektuar në maksimum. Stërvitjet në grupe kanë qenë të rënda kemi ushtruar shumë kështu që mirë që tani filluam ndeshjet përsëri dhe do të stërvitemi të gjithë së bashku”, përfundoi Berisha.
Fortuna Dusseldorf luajti baras pa gola kundër Panderborn, klub në të cilin luan mesfushori i kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula.
Berisha u vlerësua me notën 7.4 duke qenë futbollisti më i mirë në fushë për skuadrën vendëse.
Fortuna Dusseldorf dhe Paderborn mbeten edhe më tutje në fund të tabelës së Bundesligës – Dusseldorfi në pozitën e 16-të me 23 pikë, ndërsa Paderborni në pozitën e 18-të me 17 pikë.