Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë homazhe për nder të 22 vjetorit të masakrës së Izbicës së Drenicës.
Homazhet janë bërë në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Izbicë.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pas homazheve tha se shteti duhet të nis të mbledhë të gjitha provat për të dëshmuar se shteti serb ka kryer gjenocid të tmerrshëm në Kosovë.
Sipas tij, masakra e Izbicës është shembulli se pa sakrificë e gjak nuk ka liri, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ajo po ashtu është dëshmia më e mirë e krimit dhe gjenocidit që kriminelet serbë bën në Kosovë, duke mos kursyer askënd që fliste shqip e që mbronte pragun e shtëpisë. Kriminelët nuk kursyen asgjë, ata vranë gra, burra e fëmijë e pleq….jemi vonuar shumë shteti ynë duhet të nis të mbledh të gjitha provat për të dëshmuar se shteti serb ka kryer gjenocid të tmerrshëm në Kosovë“, tha ai.
Ai shtoi se kjo masakër ngriti edhe më shumë ndërgjegjen ndërkombëtare për ta ndalur gjenocidin serb në Kosovë. Ndërsa, shtoi se as sot nuk janë dënuar kriminelët.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Bislim Bajrami, përfaqësues i familjarëve të dëshmorëve./Gazeta Sinjali/