image Behramaj: Pretendimi i Kurtit se Thaçi po e keqinformon SHBA-në, është fyerje për Ambasadën Amerikane

Kosovë

Reagim/ Behramaj: Pretendimi i Kurtit se Thaçi po e keqinformon SHBA-në, është fyerje për Ambasadën Amerikane

news image

Adil Behramaj, këshilltari politik i Presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar pas letrës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dërguar Zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence.

Nga qeveria sot kanë sqaruar se në këtë letër, Kryeministri Kurti ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e Presidentit Thaçi për shëmbim territorial, eufemizën për ndarje të Kosovës, për të cilat nuk e ka informuar si duhet Ambasadorin Grenell, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar Behramaj i cili tha se Kurti me letrën dërguar zëvendëspresidentit Mike Pence, vuri në dyshim inteligjencën amerikane dhe fyu SHBA-në.

“Kurti jo vetëm që e paska vënë në dyshim inteligjencën amerikane, duke i thënë zëvendëspresidentit të SHBA-së që presidenti Thaçi po i keqinformon, por e paska fyer sërish SHBA-në. Për më tepër, indirekt e paska sulmuar edhe ambasadorin Grenell. Kurti, në historinë e Kosovës, është i vetmi lider partiak dhe institucional që rivalitetin e brendshëm politik mundohet ta eksportojë kudo nëpër botë. Me ndonjë gabim të vogël, të gjithë të tjerët kanë luajtur shumë më korrekt politikisht!”, ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Më tej, Behramaj ka shtuar se pretendimi i Kurtit se presidenti Thaçi po e keqinformon SHBA-në, së pari është fyerje për Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, për të cilën thotë se është dora e parë e informimit të DASH-it dhe Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa, së dyti, thotë se “është fyerje edhe për ambasadorin Grenell si ish-drejtor i Inteligjencës Kombëtare Amerikane dhe për presidentin Trump e zëvendëspresidentin Pence, që ia kanë besuar këtë detyrë tejet të rëndësishme atij, ku keqinformimi thjesht nuk është pjesë e punës”./GazetaSinjali/

https://www.facebook.com/adil.behramaj/posts/10158263805561670