Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar pas sulmit terrorist në Ankara të Turqisë duke e shprehur shqetësimin e tij pasi dy policë mbetën të plagosur.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale ai shprehu solidaritet për popullin dhe qeverinë turke, ndërsa dënoi me forcë aktet terroriste.
“Ndaj shqetësimin e madh për aktin terrorist të ndodhur në rrethinat e Parlamentit turk në Ankara ditën e sotme, kur për pasojë pati disa të plagosur nga radhët e forcave të policisë turke.
Shpreh solidaritetin tim të palëkundur me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, të cilat sjellin shqetësim dhe kaos për rendin dhe qetësinë qytetare e më gjerë. Akte të tilla terroriste janë qasje të një bote të vjetëruar dhe bien ndesh me parimet dhe vlerat e botës moderne”, shkruan Begaj.
Për këtë sulm ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti akt të tmerrshëm, të cilën Shqipëria e dënon ashpër.
“Sulmi terrorist në Ankara, është një akt i neveritshëm frikacakë që Shqipëria e dënon ashpër. Ai duhet të ndihmojë shumë në Evropë që të kuptojnë dhe mbështesin më mirë Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit”, ka shkruar Rama.