image BE reagon ndaj deklaratave të Daçiqit dhe Vulinit: Po dëmtojnë mirëbesimin e popujve

Kosovë

BE reagon ndaj deklaratave të Daçiqit dhe Vulinit: Po dëmtojnë mirëbesimin e popujve

news image

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë që BE pret nga liderët e Ballkanit Perëndimor të përmbahen nga deklaratat të cilat mund të jenë në dëm të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.

Stano kështu u shpreh kur është pyetur lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ndaj serbëve që tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve nëpër Serbi.

“Do të duhej të ishte e qartë për të gjithë përfaqësuesit e vendeve të cilat kanë aspirata për t’u anëtarësuar në BE, se ata do të duhej të përmbushin obligimet e tyre për të forcuar raportet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal. Këto janë vlera të cilat i mbron dhe avancon BE-ja. Liderët politikë duhet vërtetë të jenë shembull duke zgjedhur që të punojnë së bashku, të promovojnë bashkëpunimin dhe klimën e besimit të ndërsjellë, respektit dhe mirëkuptimit, e jo të japin deklarata që shkojnë në të kundërtën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Gjithashtu ka thënë se në përgjithësi Bashkimi Evropian nuk i komenton deklaratat e politikanëve, mirëpo kohët e fundit kanë vërejtur disa deklarata që ulin mirëbesimin dhe pajtimin ndërmjet popujve të Ballkanit Perëndimor.

“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai për një televizion në Serbi.

Çështja e të pagjeturve është njëra prej temave për të cilën është diskutuar në takimet e fundit, të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës i ka cilësuar si “skandaloze” deklaratat e zyrtarëve serbë duke shtuar se këto deklarata dëshmojnë se “Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”. / Gazeta Sinjali/