image BE: Po punohet në përgatitjen e terrenit për takimin Kurti – Vuçiq

Politikë

BE: Po punohet në përgatitjen e terrenit për takimin Kurti – Vuçiq

news image

Gjatë javës nga mediat u raportua se ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë janë afër për të arritur dy marrëveshje, atë për energji dhe të pagjeturit.

Kjo nuk është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano.

Por, Stano tha se po punohet në organizimin e takimit të ardhshëm të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Kryenegociatorët diskutuan edhe çështje të tjera aktuale, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara dhe përgatitjen e terrenit për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë. Diskutimet edhe për këto tema do të rifillojnë në ditët në vijim”, tha Stano për klankosova.tv .

Ai foli edhe rreth dështimit të arritjes së një marrëveshje mes dy vendeve për targat, duke thënë se grupet punuese i kishin provuar të gjitha zgjidhjet sipas standardeve të BE-së.

Zëdhënësi i BE-së theksoi se deri në një zgjidhje të përhershme do të zbatohet regjimi i ngjitjes së stikerave në targa.

Javën e kaluar, Grupi i Punës për targa përfundoi punën e tij duke eksploruar të gjitha opsionet për një zgjidhje të përhershme të çështjes së targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. BE shpreh keqardhjen që nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave mes dy kryenegociatorëve. Duke qenë se nuk ka marrëveshje për një zgjidhje të përhershme, regjimi i ngjitësave vazhdon të zbatohet”.

Tutje në përgjigje thuhet se Bashkimi Evropian i fton palët të përmbahen nga ndonjë veprim të njëanshëm që do të komplikojë përparimin në dialog.

BE-ja, si lehtësues, fton kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë që të takohen sërish në ditët në vijim në Bruksel për të rënë dakord për rrugën përpara drejt gjetjes së një marrëveshje. BE-ja dhe Komuniteti Ndërkombëtar presin që të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të rrezikojë sigurinë në terren dhe të komplikojë përparimin e mëtejshëm në dialog”.

/GazetaSinjali/