Bashkimi Evropain ka reaguar pas polemikave të shumta mes politikanëve në Kosovë lidhur me 1000 testet që Serbia i dha donacion për Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë Nataliya Apostolova, shefat e Misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës dhe Norvegjisë, shefi i EULEX-it, koordinatori për Zhvillim të KB-ve, përmes një deklarate për media, u kanë bërë thirrje liderëve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin përpjekjet ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social-ekonomik të koronavirusit, dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës ndërkombëtare.
“Në krizën e paprecedent shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”, thuhet në deklaratë.
Më tej në deklaratë thuhet se gjatë kohës me pandemi globale, politika duhet të lihet mënjanë, dhe akterët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mbështetjen ekonomike.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal mundet vetëm ta përmirësojnë këtë përpjekje; të gjitha nismat e bashkëpunimit rajonal duhet të shihen pozitivisht. U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin të gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social dhe ekonomik të koronavirusit, si dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare”, përfundon deklarata./Gazeta Sinjali/