image BE nuk e kursen as Kuvendin: S’ka plan vjetor të punës, ndikohet negativisht nga atmosfera politike

Politikë

BE nuk e kursen as Kuvendin: S’ka plan vjetor të punës, ndikohet negativisht nga atmosfera politike

news image

Në raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën është kritikuar Kuvendi për mungesë të punës dhe polarizim politik. Sipas raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, thuhet se Kuvendi ndikohet nga një polarizim politik.

“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe mungesa e kuorumit vendimmarrës, pavarësisht faktit se Qeveria mbështetet në një shumicë solide prej 67 ulëseve”, thuhet në raportin për Kosovën.

Në raport jepen vërejtje për gjuhën që përdorët mes kundërshtarëve politikë në Kuvendin e Kosovës, duke u konsideruar si “nxitëse”.

“Kuvendi mbetet vendi kryesor për dialog politik mes partisë qeverisëse, opozitës dhe komuniteteve joshumicë. Sidoqoftë, gjuha nxitëse ndaj kundërshtarëve politikë ka vazhduar të përdorët gjatë debateve. Shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku për të çuar përpara më tej agjendën e reformës së BE dhe për të ndërtuar konsensus rreth reformave të mëdha” .

KE ka këshilluar që të ketë konsensus më të lartë në Kuvend, ashtu që të mund të kalojnë agjenda të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

“Duhen përpjekje për ta fuqizuar rolin e Kuvendit si një tempull për dialog politik konstruktiv dhe formimin e konsensusit, veçanërisht lidhur me agjendat e BE-së për reforma”.

Raporti tutje thekson se, për shkak të zgjedhjeve lokale në vjeshtën e vitit 2021, puna e Kuvendit u ngadalësua dhe deputetët u angazhuan në fushatën zgjedhore.

Komisioni Evropian ka kritikuar për mungesën e deputetëve dhe pamundësinë për të kaluar ligje, në mungesë kuorumit.

Raporti i Komisionit Evropian përfshin periudhën kohe qershor 2021 – qershor 2022.

/GazetaSinjali/