image BE: Moslejimi i zgjedhjeve serbe është në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen Evropiane

Politikë

BE: Moslejimi i zgjedhjeve serbe është në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen Evropiane

news image

BE-ja e konsideron mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë si vendim që është në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen Evropiane.

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero kur është pyetur për mosmbajtjen e zgjedhjeve të nesërme të Serbisë edhe në Kosovë.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në afrimin drejt BE-së, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Rruga evropiane e Kosovës varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Neve na vjen keq që nuk është gjetur një konsensus ndërmjet palëve pas vendimit të Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga vendet e QUINT-it. Ne e konsiderojmë këtë vendim në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe popullatën joshumicë”, ka thënë ajo për KosovaPress.

Kryeministri Kurti ka kërkuar nga Serbia që t’i drejtohet me kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit, por Beogradi nuk ka pranuar.

Kjo ka rezultuar në vendimin e qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhje serbe të caktuara me 3 prill.

Më 25 mars, në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, në territorin e Kosovës.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, të caktuara më 3 prill.

/GazetaSinjali/