image BE: Marrëveshjet për rivitalizimin e urës mbi Ibër do të zbatohen shpejt

Politikë

BE: Marrëveshjet për rivitalizimin e urës mbi Ibër do të zbatohen shpejt

news image

Një prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel është edhe ajo për rivitalizimin e urës. Por, një gjë e tillë nuk po ndodh ende me urën mbi lumin Ibër të Mitrovicës, e cila ka vite që i ndan banorët e Mitrovicës së Jugut me ata të veriut.

Nga Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur për RTK-në se punimet për rivitalizimin e urës tanimë kanë përfunduar dhe se janë duke punuar me Prishtinën e Beogradin për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për RTK-në se teknikisht punimet për rivitalizimin e urës kryesore dhe rrethinës së saj në Mitrovicë kanë përfunduar.

“BE-ja po punon si me Beogradin, ashtu edhe me Prishtinën. Të gjitha marrëveshjet e dialogut që kanë të bëjnë me urën do të zbatohen tërësisht sa më shpejt që është e mundur”, tha Stano.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se urat janë për bashkim të qytetarëve dhe për mundësinë e lëvizjes së lirë.

“Mendoj se rivitalizimi sjell një mundësi më shumë pas marrëveshjes që ishte në vitin 2016, mandej ajo u funksionalizua në vitin 2017 dhe vazhdoi në bazë të marrëveshjes, por që fatkeqësisht çdo herë nën presion, apo me presion të Beogradit, pastaj ajo është çdo herë si mollë sherri po them ashtu ura e Ibrit, kështu që unë shpresoj që me një marrëveshje, një marrëveshje të re të rivitalizonte së pari raportet mes dy anëve të lumit, por njëkohësisht do të mundësonin edhe lëvizjen e lirë që është e munguar në këtë drejtim”, tha ai.

Në fund të vitit 2016, filluan punimet për projektin për rivitalizimin e Urës së Ibrit, projekt i dalë nga marrëveshjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Ky projekt i BE-së ka vlerë prej 1.2 milionë eurosh.

/GazetaSinjali/