image BE-ja urdhëron gjashtë shtete t’i heqin kufizimet kufitare

Evropë

BE-ja urdhëron gjashtë shtete t’i heqin kufizimet kufitare

news image

Nëpërmjet letrave të adresuara, Komisioni Evropian u ka dhënë Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Gjermanisë, Hungarisë dhe Suedisë dhjetë ditë afat për t’iu përgjigjur shqetësimeve rreth shkeljes së udhëzimeve të dakorduara mbi luftimin e koronavirusit.

Brukseli ka paralajmëruar të martën gjashtë shtete anëtare të Bashkimit Evropian se kufizimet e tyre të ashpra kufitare shkaku i COVID-19, përfshirë ndalesat për hyrje-dalje, duhet të hiqen, si rrjedhojë e shqetësimeve për pengimin më të gjerë të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave të bllokut.

Kufizimet e zbatuara nga Gjermania në kufijtë e saj me rajonin australian Tirol janë cekur si shkak i veçantë shqetësimi gjatë javëve të fundit, me ç’rast ambasadori gjerman në Vjenë është thirrur për bisedë rreth justifikimit të “masave të panevojshme që shkaktojnë më shumë dëm se dobi”.

Megjithëkëtë, ekzistojnë shqetësime në Gjermani se vendi mund të ndodhet në valën e tretë të pandemisë, teksa numri i rasteve ditore të infektimit për 100 mijë banorë gjatë shtatë ditëve të fundit ka mbërritur në 60.5 – që është shifër më e lartë se 55-57 në javën paraprake.

Shqetësimin lidhur me nisjen e valës së tretë të pandemisë në vend të martën është raportuar ta ketë shprehur edhe vetë kancelarja Angela Merkel. Ajo këtë gjë ua ka thënë shprehimisht ligjvënësve të partisë së saj konservatore, gjatë një takimi të së martës, njofton AP.

Sipas këtij mediumi, Merkeli ka paralajmëruar gjithashtu se çdo zbutje e masave të izolimit, të zbatuara në fund të vitit dhe të zgjatura deri më 7 mars, do të duhej të ndërmerrej në mënyrë të kujdesshme dhe graduale.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, një ish-ministre gjermane, ka thënë të martën se është e vendosur që ta shmangë përsëritjen e muajve të hershëm të pandemisë, kur një sërë vendimesh të njëanshme përbrenda bllokut kishin nxitur kaos në kufij dhe kishin kërcënuar zinxhirët e furnizimeve. /Gazeta Sinjali/