image BE-ja ia jep Kosovës afro 70 milionë euro për ta luftuar koronavirusin

Kosovë

BE-ja ia jep Kosovës afro 70 milionë euro për ta luftuar koronavirusin

news image

Bashkimi Evropian do të ndihmojë Kosovën për t’u përballur me betejën ndaj koronavirusit dhe me pasojat socio-ekonomike nga kjo krizë me mobilizimin e një shume prej afër 70 milionë euro.

Për këtë Komisioneri i BE-së për fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varhelyi i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Ai në këtë letër njofton për masat që është duke ndërmarr BE-ja si dhe shqyrtimin e mundësive që në këto masa të përfshijë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton KOHA.

“Ne jemi duke shikuar në mënyrë intensive se si ta asociojmë Kosovën dhe partnerët tjerë në nismat që janë duke marrë nga BE-ja në përgjigje ndaj pandemisë së koronavirusit, sikur edhe si t’i ndihmojmë në mënyrën më të mirë për të ulur pasojat socio-ekonomike. Sa i përket qytetarëve të rajonit që kanë mbetur në BE, Komisioni Evropian është duke diskutuar me shtetet anëtare rreth qytetarëve të vendeve të treta që e kanë gjetur veten me qëndrim të tejkaluar në vendet e Schengenit si rezultat i restrikcioneve të udhëtimit”, ka shkruar ai.

Ai ka njoftuar se Komisioni Evropian me ndihmë imediate mbështet sistemin e shëndetësisë në Kosovë deri në 5 milionë euro.

Do të mobilizohen edhe 50 milionë euro nga programet për vitin 2019 dhe 2020 për të ndihmuar Kosovën që të përballet me pasojat socio-ekonomike. Edhe 13 milion euro do të ndahen për buxhetin e Kosovës për të ndihmuar likuiditetin.

Për tërë Ballkanin Perëndimor, BE-ja do të mobilizojë 38 milion euro si ndihmë e menjëhershme për sistemin e shëndetësisë dhe 373,5 milionë euro për të zbutur pasojat socio-ekonomike.

Komisioneri i BE-së ka thënë se do të mobilizohen edhe institucionet tjera ndërkombëtare për të ndihmuar rimëkëmbjen pas krizës dhe në rastin e Kosovës po punohet ngushtë edhe me zyrën në Prishtinë. Ai ka përfunduar letrën me porosinë se “duke punuar së bashku, do të dalim nga kjo krizë së bashku edhe më të fortë”.

Në Kosovë aktualisht numri i të infektuar ka shkuar në 71, teksa është shënuar edhe një viktimë.