Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për qetësimin e situatës në veri të Sirisë dhe paralajmëroi se konflikte të reja mund të çojnë në një eksod të madh të popullsisë, duke iu përgjigjur njoftimit të Turqisë se trupat e saj do të fillojnë një sulm në zonën kufitare.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq tha se rinovimi i armiqësive të armatosura në verilindje të Sirisë jo vetëm që do të përkeqësojë vuajtjet e civilëve dhe do të çojë në shpërngulje masive, por gjithashtu do të minojë seriozisht përpjekjet aktuale politike.
Ajo tha se BE mbetet e përkushtuar ndaj “unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial” të Sirisë dhe se një zgjidhje afatgjatë e konfliktit “nuk do të arrihet me mjete ushtarake, por kërkon më tepër një tranzicion të vërtetë politik”, transmeton KosovaPress.
Turqia ka kërcënuar se do të ndërmarrë një operacion ushtarak për të shtyrë luftëtarët kurdë sirianë nga rajoni kufitar në të cilin dëshiron të formojë një “zonë të sigurt” në pajtim me SHBA.