Afrim Gashi, kryetari i Alternativës, partisë përbërëse të koalicionit opozitar të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut tha se beteja politike atje “është bërë më e qartë”.
Gashi e rreshtoi në njërën anë Ali Ahmetin, kryetarin e partisë më të madhe të shqiptarëve në RMV (BDI) dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kundërshtarë të bashkuar të koalicionit të tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka mbështetur këtë koalicion.
“Prej sonte beteja jonë politike është bërë edhe më e qartë. Pyetja e zgjedhjeve të 8 majit do të jetë: “A jeni me Vuçiqin e Serbisë e Ali Ahmetin apo jeni me opozitën e bashkuar shqiptare – Lidhja Europiane për Ndryshim dhe Albin Kurtin?” Më pastër se kaq nuk mund të bëhej. Njësoj edhe më lehtë për të vendosur”, shkroi ai në Facebook.
Gashi kështu mori shkas nga një deklaratë e cituar në media, ku thuhet se Vuçiq ka thënë se se Kurti “dëshiron ta sundojë edhe Maqedoninë e Veriut”.
“Po, seriozisht, ai dëshiron ta mposhtë Ali Ahmetin dhe BDI-në për të sunduar në Maqedoni pas zgjedhjeve të majit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Nga BDI, pas këtyre deklaratave thanë se Ali Ahmeti e ka mposhtur Vuçiqin me luftë, “bashkë me Hashimin, Ramushin, Kadrinë, Rexhepin, Adem e Hamzë Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin”, duke e akuzuar presidentin e Serbisë se është angazhuar të ndërhyjë në zgjedhjet parlamentare në RMV.