image Bastisje në një shtëpi në Ferizaj, Policia i gjen armë 16-vjeçarit

Siguri

Bastisje në një shtëpi në Ferizaj, Policia i gjen armë 16-vjeçarit

news image

Nuk janë të rralla rastet kur të rinjtë mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Një rast i tillë është zbuluar gjatë pasdites së sotme, në fshatin Talinovc, lagjja e Muhagjerëve në komunën e Ferizajit, gjatë kontrollit në një shtëpi.

Sinjali mëson se është kryer bastisje në shtëpinë e R.M., 16-vjeçar pasi i njëjti dyshohet për një rast të shkaktimit të rrezikut. Aty, u gjet një armë e cila është sekuestruar nga Policia.

Për shkak të posedimit të armës, ai është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me armën e sekuestruar me rastin e kontrollit policor.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

/GazetaSinjali/