image Bastisja në shtëpinë e Jakup Krasniqit, reagon Ramiz Lladrovci

Kosovë

Bastisja në shtëpinë e Jakup Krasniqit, reagon Ramiz Lladrovci

news image

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar lidhur me bastisjen që njësitet e EULEX-it po e bëjnë në shtëpinë e Jakup Krasniqit, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, i pari i Drenasit ka thënë se mënyra e bastisjes dhe aplikimi i metodës së aksionit të EULEX-it është e pakuptueshme.

“Sot njësitet e EULEX-it, me orë të tëra kanë zhvilluar bastisje në shtëpinë e ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe Negroc. Për fat të keq, kjo qasje dhe mënyrë e bastisjes dhe aplikimit të metodës së aksionit të EULEX-it është e pakuptueshme dhe joproporcionale kundrejt personalitetit të z. Krasniqi dhe familjes së tij”, ka thënë Lladrovci.

Tutje, ai ka thënë se beson në pafajësinë e z. Krasniqit dhe të gjithë të akuzuarve të mundshëm.

“Shqetësimet e tilla të panevojshme, nuk mund të jenë vlera të Gjykatës Speciale, të shtetit që po ndërtojmë dhe as të shtetit që synojmë. Besoj fort në pafajësinë e z. Krasniqi dhe të gjithë të akuzuarve të mundshëm të tjerë, sepse, lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtar”, është shprehur Lladrovci.

Ndryshe, Gjatë ditës së sotme pritet transferimi i Jakup Krasniqit për në Hagë.

Kështu ka bërë të ditur, avokati mbrojtës Valon Hasani, i cili ka njoftuar se aktakuza është konfirmuar.

“Krejt çfarë mund të konfirmojë është që ka një bastisje… Aktakuza e cila është konfirmuar, tash duhet të transferohet zotëri Krasniqi në Hagë, besoj gjatë ditës së sotme”, ka deklaruar Hasani./GazetaSinjali/