Komisioni Evropian i ka transferuarsot buxhetit të Kosovës edhe mbi 5 milionë euro të tjera për ta ndihmuar në zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19, si dhe në rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.
Kështu ka njoftuar zyra e BE-së në Prishtinë, përcjell Sinjali.
Kjo shumë e parave sjell mbështetjen e drejtpërdrejtë të BE-së për buxhetin e Kosovës në kuadër të kontratës së qëndrueshmërisë të nënshkruar në vitin 2020, në një total prej gati 26 milionë euro.
“Përderisa më e keqja e krizës pandemike është pas nesh, Kosova dhe BE-ja janë prekur nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Përmes kësaj pagese të mbështetjes buxhetore ne ndihmojmë likuiditetin financiar të Kosovës për veprimet e ndërmarra për të mbështetur bizneset e vogla, bujqësinë dhe grupet e cenueshme, të përballen me vështirësitë financiare në gjendjen aktuale”, njofton kjo zyrë.
Mbështetja buxhetore është një formë e mbështetjes së BE-së, ku BE-ja shpërblen qeveritë për progresin që bëjnë në zbatimin e strategjive të tyre dhe në arritjen e objektivave që i kanë vendosur vetes. Pagesa e mëparshme e BE-së në lidhje me kontratën e qëndrueshmërisë ishte 20.5 milionë euro, e disbursuar në dhjetor 2020.
BE-ja inkurajon qeverinë e Kosovës që të adresojë dobësitë në sistemin e asistencës sociale për të targetuar më mirë familjet e varfëra, disa prej të cilave aktualisht nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ky sitem. Meqenëse të ardhurat e disponueshme zvogëlohen veçanërisht për grupet e cenueshme, alokimet buxhetore për sistemin e asistencës sociale duhet të jenë të orientuara mirë dhe në mënyrë transparente.