image Bashkimi Evropian e shtyen vendimin për Brexit-in

Botë

Botë/ Bashkimi Evropian e shtyen vendimin për Brexit-in

news image

Ambasadorët e Bashkimit Evropian pranuan në parim të shtyjnë Brexit-in përtej datës 31 tetor 2019, por vendimi për datën finale do merret javën e ardhshme.

Kryeministri britanik Boris Johnson kërkon zgjedhje të reja të përgjithshme më 12 dhjetor nëse marrëveshja Brexit nuk ratifikohet brenda një kohe të shkurtër.

Bashkimi Europian ka pranuar t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së qeverisë britanike për shtyrjen e Brexit-it.

Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, ka deklaruar sot se diplomatët e 27 vendeve anëtare do të dalin me një datë të saktë javën e ardhshme.

Një ditë më parë kryeministri Boris Johnson hodhi idenë e zgjedhjeve të reja nëse Brexit vonohet.

Në një letër drejtuar liderit të opozitës laburiste, Jeremy Corbyn ai tha se varianti i preferuar do të ishte shtyrja sa më e shkurtër e procesit të shkëputjes nga unioni.

“Nëse ky parlament nuk arrin ta ratifikojë marrëveshjen aktuale Brexit brenda datës 6 nëntor, problemi atëherë do të duhet të zgjidhet nga një parlament i ri. Zgjedhjet e reja më 12 dhjetor do na mundësonin një parlament dhe qeveri të re për Krishtlindje, dhe nëse unë fitoj, marrëveshja do ratifikohet, Brexit do realizohet në janar dhe vendi do të ecë përpara,” shkroi Johnson.

Dhoma e deputetëve britanikë planifikohet të hënën të votojë nëse duhen mbajtur zgjedhjet e parakohshme.

Laburisti Korbin thotë se opozita e përkrah një proces të ri elektoral dhe e kërkon prej kohësh, por më parë qeveria duhet të përjashtojë skenarin e daljes pa konsensus nga BE-ja.

Zyrtarët europianë informojnë se Brexit mund të shtyhet deri më 31 janar 2020 nëse Britania e Madhe i drejtohet kutive të votimit.

Ndërkohë, në rastin e zgjedhjeve të reja, sondazhet favorizojnë konservatorët aktualisht në pushtet, ndjekur nga opozita laburiste, liberaldemokratët dhe partia Brexit.