image Bashkësia Islame nuk beson që Qeveria do ta ndalojë faljen e namazit të Kurban Bajramit

Shëndetësi

Bashkësia Islame nuk beson që Qeveria do ta ndalojë faljen e namazit të Kurban Bajramit

news image

Ndonëse pas pak pritet të vendoset për ndalimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit dhe therjen e kafshëve nëpër shtëpi e tregje, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) nuk beson që Qeveria do ta marrë një vendim të tillë.

Drejtori për media në BIK, Ramadan Shkodra ka thënë për Gazetën Sinjali se nuk beson që Qeveria do të marrë vendim për ndalimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit pa u konsultuar me Bashkësinë Islame. Shkodra gjithashtu ka thënë se nuk mund t’u ndalohet besimtarëve që t’i therin kafshët në shtëpitë e tyre.

“Ne dje e kemi taku ministrin dhe ne i kemi marrë disa vendime. Nuk besoj që qeveria e merr një vendim të tillë pa u konsultu edhe me Bashkësinë Islame. Nuk di çfarë të them për një vendim që as s’jemi të konsultuar dhe nuk është i marrë, e as s’jemi të njoftuar. Nëse merret një vendim, do të mblidhet kryesia dhe do ta shqyrtojë gjendjen pas vendimit dhe do të marrë vendim tjetër, do të dalim me qëndrim”, tha ai.

Shkodra vlerëson se Qeveria vepron mirë nëse e ndalon therjen e kurbanëve nëpër tregje e në rrugë.

“Po mirë e ka qeveria atë punë. Nuk priten kurbanat rrugëve, nuk priten kurbanat në kushte joadekuate. Ndërsa nuk e besoj që qeveria jonë merr aso vendime për kapacitete private. Pa u marrë vendimi nuk di çka të them. Por unë di të them se Bashkësia Islame e organizon therjen e kurbanëve në mënyrë të organizuar. Për ne kjo është mënyra e vetme e pranueshme për therjen e kurbanëve, nën mbikqyrjen e autoritetetve përkatëse që merren me këtë punë. Kjo bëhet me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, të opinionit”, tha ai.

Por sipas tij, Qeveria nuk mund t’ua ndalojë besimtarëve therjen e kurbanëve në shtëpi.

“Në shtëpi nuk mund të ketë ndalesë sepse fundi i fundit aty në oborre nuk do të shkojë askush që të inspektojë. Por jo nëpër tregje, nëpër rrugë të priten kurbanët në këtë temperaturë. Ata që i presin në shtëpitë e tyre bëjnë mirë, sepse mund ta menaxhosh një kurban, një dele, nuk është shumë telashe. Ndërsa nëse kjo shndërrohet në dukuri që dalin 10-15, sikur vjet që ka qenë 100 dhe të lihen ato mbetjet e kurbanit jashtë, në këto temperatura është problem edhe pa qenë pandemia, e lëre më kur është pandemia”, u shpreh Shkodra.

Qeveria e Kosovës pas pak pritet të marrë vendim për ta ndaluar pjesëmarrjen e njerëzve në aktivitete fetare, përfshirë edhe ndalimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit.

Gazeta Sinjali e ka siguruar propozim – vendimin, dy pikat e së cilit specifikojnë dy çështje të lidhura me Kurban Bajramin. Përveç ndalimit të namazit, edhe aktiviteti i zakonshëm i kësaj feste siç është therja e kurbanëve, do të ndalohet në të gjitha ambientet e hapura apo të mbyllura.

“Ndalohet therja e kafshëve në çfarëdo ambienti të hapur apo të mbyllur, përveç në ambientet e autorizuara për therjen e kafshëve”, thuhet në pikën e 18 të propozim-vendimit.

Ndërkaq pika e 19 e këtij propozim-vendimit saktëson: “Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet fetare në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”. /Gazeta Sinjali