Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla, ka bërë thirrje për Kosovën, që t’i bashkohet nismës së Ballkanit të Hapur.
Sipas Ballës, një tjetër shtet në javët në vijim do të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur. Balla i ka bërë thirrje edhe Kosovës, duke thënë se nuk duhet të bien pre e dezinformatave.
“Sot nuk ke një vend anëtar të BE që të ketë një rezervë të vogël për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë. Për Ballkanin e Hapur, kjo është gjëja më pozitive. Mjafton të flasësh me përfituesit e drejtpërdrejtë të Ballkanit të Hapur, prodhuesit. Hajde shkojmë tek të gjithë eksportuesit dhe i pyesim“, ka thënë Balla.
Balla tutje shtoi “unë do vijoj t’i bëj thirrje vëllezërve dhe motrave nga Kosova, që mos bien pre e keq informimeve por të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur. Nuk ka asnjë dyshim që në javët në vijim dhe një vend tjetër i Ballkanit, do i bashkangjitet Ballkanit të Hapur“.
Shefi i grupit parlamentar të PS-së shtoi se është shpresëplotë, që me zgjedhjet e reja në Bosnje edhe qeveria e re boshnjake, do i bashkangjitet Ballkanit të Hapur.