Me tre ndeshjet e përfunduara para pak çasteve, edhe xhiro e tetë në Superligën e Kosovës është mbyllur.
Drita ka barazuar pa gola me Prishtinën, që ishte kryendeshja e javës, derisa Llapi ka mposhtur Dukagjinin (1-0), kurse Feronikeli gjithashtu arkëtoi pikët e plota ndaj Ulpianës (1-0).
Në Gjilan, përballja mes Dritës dhe Prishtinës ishte shumë interesante, por në fund pa gola.
Dy skuadrat provuan gjatë tërë kohës të shënojnë, por nuk i konkretizuan rastet.
Posedimi ishte i barabartë, me dy skuadrat e mëdha vendore që mundoheshin në krijimin e aksioneve.
Me këtë barazim, Drita renditet e pesta me 12 pikë, një pozitë më lartë se Prishtina që zë vendin e gjashtë me 10 sosh.
Ndërkohë, Llapi ka shënuar fitoren e parë për këtë sezon duke mposhtur Dukagjinin me rezultat 1 – 0.
Golin e vetëm në këtë takim e shënoi Rivera (10′).
Kjo ishte fitorja e parë për skuadrën e Tahir Batatinas, kështu që vazhdojnë të mbesin në fund me gjashtë pikë, aq sa ka edhe Dukagjini në vendin e tetë.
Kurse, Feronikeli i është kthyer fitoreve duke mposhtur Ulpianën në shtëpi.
Ishte goli i Lekut që vulosi fitoren e skuadrës nga Drenasi dhe iu ndihmoi të arkëtojnë pikët e plota (25′).
Me këtë tre pikësh, Feronikeli renditët në pozitën e shtatë me 10 pikë, derisa Ulpiana zë vendin e nëntë me gjashtë sosh.