image Bajrami përplaset me deputetët e VV-së, ua përmend punësimet partiake

Politikë

Bajrami përplaset me deputetët e VV-së, ua përmend punësimet partiake

news image

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka pasur një përplasje me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Duke e kundërshtuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë, deputetët e opozitës kanë thënë se ky projektligj është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian.

Deputetja Bajrami, duke iu përgjigjur deputetit të VV-së, Besim Muzaqi, tha se edhe kjo parti po e ndjek avazin e vjetër me punësime partiake, duke ia përmendur punësimin e ish-asamblistit të VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, i cili u zgjedh drejtor në ndërmarrjen “Iber Lepenci”.

“Mos vazhdoni me këto avaze punësime e punësime se njëjtë po vazhdoni edhe ju. Kush u zgjedh drejtor në Ibër Lepenc, leni këto blofe se po hapni kinse konkurse për diasporë. Po ikin njerëzit nga ndërmarrjet e askush nga diaspora nuk vjen me u zgjedh drejtor i ndërmarrjes. I keni 80 për qind e pozitave me ushtrues detyre”, tha Bajrami.

Në komentet e dërguara nga Bashkimi Evropian, thuhet se projektligji duhet të përafrohet më mirë me parimet e një administrate publike moderne në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë angazhimin për një administratë publike të bazuar në merite, të depolitizuar dhe profesionale.

Kjo sipas BE-së, është parakusht kyç që Kosova të përparojë në rrugën e saj evropiane.

“Projektligji është ende problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në meritë, i aftë për të tërhequr dhe ruajtur kandidatë profesioniste. Projektligji shton diskrecionin e tepruar në rekrutimin, transferimin dhe ngritjen në detyre të nëpunësve civile, duke e bërë shërbimin civil të cenueshëm dhe në rrezik më të madh politizimi dhe korrupsioni”, thuhet në komentet e dërguara nga Zyra e BE-së.

/GazetaSinjali/