image Bajrami - Kurtit: Gjeni një zgjidhje për shkollat, sot janë si në kohë lufte

Arsim

Bajrami – Kurtit: Gjeni një zgjidhje për shkollat, sot janë si në kohë lufte

news image

Ish-ministrja e Arsimit, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti, që të gjejë një zgjidhje për hapjen e shkollave, raporton Gazeta Sinjali.

Bajrami ka ironizuar me Kurtin duke thënë se e di që ai është i zënë me punësime partiake dhe me fushatën zgjedhore, por që duhet të fokusohet në gjetjen e një zgjidhjeje për shkollat.

“Sot, si në kohë lufte, shkollat janë të mbyllura. Kjo nuk është zgjidhje. Sot do të duhej të uronim fillimin e vitit të ri shkollor. Sikurse po ndodh në vendet e rajonit. Kur erdhi pandemia, më 11 mars 2020 u mbyllën shkollat por pas një jave filloi mësimi online.”

Kryeministër, duhet të bëni zgjidhje, e di që jeni i zënë edhe me punë tjera, edhe më angazhime e punësime partiake, edhe me fushatën elektorale, por po kërkoj nga ju dhe secili anëtar i kabinetit qeveritar të fokusoheni në gjetjen e një zgjidhje për hapjen e shkollave”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.

Bajrami ka thënë se deri tani nuk ka parë asnjë rrugë të qartë, strategji ose dokument të Ministrisë së Arsimit për hapjen e shkollave.

“Kryeministër bëni zgjidhje. Ka kohë për fushatë elektorale. Ka kohë për sulme politike. Qytetarët ju votuan për të bërë zgjidhje dhe fjala është e juaja”, përfundoi ajo.

Sipas masave të reja të vendosura nga qeveria gjatë javës që shkoi, aktiviteti arsimor në institucione publike dhe private të arsimit parauniversitar është pezulluar deri më 13 shtator./Gazeta Sinjali/