Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë në detyrë, me rastin e 100 ditëshit të punës së saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Para prezantimit të punës së saj 100 ditëshe në krye të MASHTI-t, Bajrami tha se për ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës periudha pas votëbesimit ka qenë një periudhë shumë e vështirë.
Por, sipas saj puna e tyre në Qeverinë Kurti pas rrëzimit, nuk mund të konsiderohet e suksesshme, nëse Kurti vlerëson se LDK-ja i takon regjimit të vjetër, familjes politike e cila është në mbrojte të së keqës dhe korrupsionit.
“Për ne, si ministra të LDK-së, kjo periudhë, sidomos pas mocionit të votëmesimi, ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Para së gjithash, ju e dini të gjithë publikisht, që ne në momentin kur ka ra qeveria të gjithë si ministra kemi kërku nga partia që t’i lirojmë këto pozita. Mirëpo, na është kërku nga kryetari i partisë, Isa Mustafa, që ne në kohë pandemie të vazhdojmë punën aty ku të jem dhe të mos e kthejmë në politikë. Andaj, i nderuar kryeministër unë kërkoj mirëkuptimin tuaj sepse gjatë kësaj kohe jemi mundu që të japim maksimumin dhe konsideroj që nuk mund të konsiderohemi si ministra të suksesshëm nëqoftëse, sipas jush, i takojmë një regjimi të vjetër. Nuk mund të konsiderohemi si ministra të pakorruptuar nëqoftëse, sipas jush, ne i takojmë një familje politike, pjesë e të cilës jemi, që qenka në mbrojtje të së keqës dhe korrupsionit”, tha Bajrami.
Ministrja në detyrë e Arsimit i ka kërkuar kryeministrit në detyrë leje për të vazhduar punën e tyre, siç tha ajo me maksimumin e tyre në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Na lejoni i nderuar kryeministër që të kryejmë punën, që të japim maksimumin, që të kalojmë këto ditë të vështira dhe që të punojmë sipas ligjit dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ashtu siç kemi bërë nga dita e parë dhe siç kemi bërë gjithmonë edhe me kapacitete të tjera”, tha Bajrami./Gazeta Sinjali/