Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, sonte u shpreh se kur zyrtarë qeveritarë flasin për qeverisjet e kaluara, një pjesë të përgjegjësisë e mbajnë edhe ata. Bajrami tha se Albin Kurti tani i ka të gjitha institucionet dhe se ai nuk mund të qajë një mandat të tërë për 20 vjetët e kaluara.
Ajo deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka premtuar ulje të çmimeve të artikujve bazë, ndërsa tani ka rritje të tyre.
“Sot qytetarët me të drejtë atë ‘krejt dhe drejt’ po e quajnë ‘krejt dhe shtrenjtë’. Tash i ka të gjitha institucionet. Kryeministri nuk mund të qajë një mandat të tërë për 20 vjetët e kaluara sepse ai ka premtuar se do ta rrisë pagën minimale që në ditët e para por janë rritë çmimet. Ka propozuar ZRrE-ja që është e votuar prej deputetëve ka propozuar dyfishim të rrymës, nuk është rritë paga minimale. Ai me këto premtime ka ardhur në pushtet. Qytetarët i kanë besuar. I kanë thënë po t’i japim krejt institucionet, veç puno”, tha Bajrami për RTV21.
“Edhe ne të tjerët kur kemi ardhur në qeveri, kemi trashëguar punë të cilat i ka bërë ose nuk i ka bërë dikush tjetër. Mirëpo, nuk e ke kohën kur je në qeveri me i vajtu qeveritë e Kosovës sepse e ke ditë, ke qenë pjesë ë institucioneve, ke qenë pjesë e parlamentit”, shtoi ajo./GazetaSinjali/