Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka paralajmëruar se do të ngrisë padi ndaj ish-kandidatit për kryetar të kësaj komune, për shkak të, siç thotë ai, shpifjeve të vazhdueshme, raporton Gazeta Sinjali.
Bahtiri ka bërë të ditur se padinë do ta paraqesë të hënën.
I pyetur nga Gazeta Sinjali se për kandidatin e cilës parti bëhet fjalë, i pari i Mitrovicës nuk ka përmendur asnjë emër.
“E din ai kush është, por do ta padis sepse ka shpifur që në kabinetin tim punojnë 15 femra. E vërteta është që në kabinetin tim janë të punësuara vetëm dy femra, njëra është shefe e kabinetit dhe tjetra shefe e protokollit, ndërsa në kabinetin tim po ashtu janë të punësuar edhe dy meshkuj. Për shpifjet që i ka bërë do të përgjigjet penalisht”, u shpreh Bahtiri.
Kujtojmë se, sot gjatë ditës Fehmi Ferati, ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, i reagoi ashpër Bahtirit, pasi ky i fundit kërkoi nga Bashkësia Islame e Kosovës që të lejohet falja e Bajramit në shesh.
“Qe njeri që mendon për votuesit e vet! Ta merr mendja është Haxhi i pesëfisht. Familjen e vet në Holandë, kabinetin me 15 femra të reja, vizitor i diskotekave etj…e Mitrovica nuk ka as spital të kompletuar! Injorancë e vetëvrasje masive!”, thuhet në postimin e Feratit./Gazeta Sinjali/