Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka folur rreth masave që pritet që merren nga Qeveria e Kosovës, që sipas tij nuk duhet të ketë një mbyllje të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Bahtiri u shpreh se e kundërshton fuqishëm vendimin e qeverisë për “mbyllje” të vendit dhe se pa një masë adekuate e cila sipas tij, do t’i stimulonte bizneset dhe nuk do e merrte këtë vendim.
“Kundërshtoj fuqishëm vendimin e Qeverisë, pasi kjo i ka shkatërruar në tërësi bizneset. Mendoj që kjo është e papranueshme dhe ne do të diskutojmë edhe nesër dhe do të shohim a do të aplikohen këto masa”, theksoi ai.
“Nëse është Qeveria për të gjithë shtetin, atëherë le të marrë masa për të gjitha qytetet, që janë edhe në pjesën e veriut dhe ata të hynë në kufizimet në të cilat po hyjnë secila komunë. Është e padrejtë që të mbajmë barrën e tyre edhe ne si komunë e jugut”, u shpreh Bahtiri.
Bahtiri ka thënë se është e padrejtë që Komuna e Jugut të mbajë barrën edhe të të infektuarve që jetojnë në pjesën e Veriut.
“Duke pasur parasysh vështirësitë që i kemi, pasi në katër komunat të cilat janë të veriut, të gjithë qytetarët që jetojnë në ato katër komuna, paraqiten dhe identifikohen si të komunës sonë. Ne me të vërtetë e marrim këtë barrë edhe për menaxhimin, në aspektin e afrimit të kushteve mjekësore dhe arsimore. Pra, nuk është e drejtë të marrim barrën e atyre, kurse komunat tjera të cilat janë me shumicë serbe të mos kenë asnjë vlerësim”.
Ai gjithashtu tha se ka pasur një takim me ministrin Zemaj, i cili u shpreh se komuna që udhëheqë ai e mban peshën si zonë e gjelbër, por jo si zonë e kuqe.
“Ne, para dy ditësh kemi pasur takim me ministrin; të gjithë kryetarët e komunave dhe jemi caktuar në bazë të zonave; zona e gjelbër, zona e verdhë dhe ajo e kuqe. Si komunë, jemi në zonën e verdhë, pasi kemi kaluar një rast më shumë. Si të tillë, ne mund të mbajmë peshën si zonë e gjelbër, por jo si zonë e kuqe”. /Gazeta Sinjali/