image Avni Dehari tregon për takimin me kryeprokurorin: Astriti është vrarë sot për herë të dytë

Kosovë

Deklaratë/ Avni Dehari tregon për takimin me kryeprokurorin: Astriti është vrarë sot për herë të dytë

news image

Baba i Astrit Deharit, Avni Dehari e ka quajtur vrasje të dytë të djalit të tij mos transparencën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit me raportin përfundimtar të Institutit të Lozanës lidhur me vdekjen e Astrit Deharit. Në një konferencë për media ai ka treguar se si është takuar gjatë ditës së sotme me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Aty ai ka thënë se kryeprokurori ka akuzuar avokatin dhe mediat për politizim të rastit, raporton Gazeta Sinjali.

“Ne sot kemi qenë në Prizren pa ndonjë termin, edhe pse dje kam kërkuar, por që kryeprokurori nuk më ka kthyer përgjigje. Me të marrë vesh për përfundimin e raportit jam sugjeruar prej ekspertes të Institutit të Lozanës që t’i drejtohem këshilltares së kryeprokurorit të Kosovës Merita Gashit, në telefonin e saj në mënyrë shumë arrogante më tha që nuk e kam numrin, i thash që të më thotë se nuk ma jep numrin sepse ajo numrin e tij e ka.

Merita Gashi më shkruan në e-mail dhe më thotë që drejtohu tek kryeprokurori i Prizrenit, i dërgova një e-mail dhe i kërkova një termin me qëllim që ta marrim një raport origjinal.

Sot ishim atje pa termin dhe menjëherë fillojë të na mbajë ligjërata se gjoja mediat dhe avokati po e politizojnë rastin dhe se rasti është trajtuar gjithçka në rregull. Ai tha se po politizohet rasti nga avokati dhe nga mediat”, ka deklaruar ai në konferencë për media.

Avni Dehari ka thënë se kur i ka kërkuar gjatë takimit kryeprokurorit, që t’ia jap raportin nga Instituti i Lozanës, ai i ka thënë se raportin e ka dërguar në Prishtinë.

Sipas Deharit, njerëzit që kanë faj dhe që kanë vrarë Astritin ia hedhin fajin njëri-tjetrit.

“Kur i kërkova të ma jap raportin në origjinal më tha se nuk e kemi. Njerëzit që kanë faj, apo njerëzit që i kanë duart e përlyera, njerëzit që e kanë vrarë Astritin apo këdo tjetër, hedhin fajin njëri-tjetër. Këta të Prishtinës më thonë shko në Prizren, ata të Prizrenit më thonë shko në Prishtinë.

Si t’i besoj një kryeprokurori i cili thotë se e ka dorëzuar raportin në Prishtinë dhe nuk e ka një kopje në zyre. Nuk ka normë juridike për këtë çështje. E mira ka qenë që ekspertiza të bëhet këtu, por kemi respektuar në një vend tjetër për shkak se nuk kemi pasur besim.

Kur e pyesim se përse nuk na keni thirrur që ka ardhur raporti, ata thonë se nuk mund të shkojmë derë më derë. Për me ardhur me burgosë dikë mund të vinë në derë, ndërsa kur vdes dikush nuk vrapojnë për ta zbardhur rastin”, ka deklaruar ai.

Në fund ai ka thënë se familjes së tij nuk i nevojitet asnjë përkthim, për shkak se sipas tij, cilado nga gjuhët zyrtare të Zvicrës është e kuptueshme për familjen Dehari. Po ashtu, mos dhënien e raportit ai e ka quajtur vrasje të dytë të Astritit.

“Për neve si familje në tri gjuhët e Zvicrës nuk kemi nevojë për përkthim, por nëse është çështje e procedurës le ta përkthejnë, por nuk duan ta bëjnë transparent, duan t’i fshehin faktet. Për neve kjo është vrasja e dytë e Astrit që po i bëhet tashmë”, ka deklaruar Avni Dehari.

Kujtojmë se Astrit Dehari kishte vdekur në rrethana të paqarta në burgun e Prizrenit. Ai kishte qenë në paraburgim për shkak se ishte i dyshuar për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës./Gazeta Sinjali/