Babai i Astrit Deharit, aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka thënë se raporti i ekspertizës zvicerane për vdekjen e djalit të tij konstaton se ai është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.
“Raportin na e kanë dhënë në dy kopje, në dy gjuhë: frëngjisht dhe të përkthyer. Sipas konkluzioneve që kërkuam t’i lexojmë, bëhet fjalë për vrasje dhe jo për vetëvrasje dhe sipas kësaj duhet të hapen hetime për vrasjen e Astrit Deharit më 5 nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit”, ka thënë ai.
Avni Dehari, përgjegjës për vdekjen e të birit i ka bërë kryeprokurorin e atëhershëm të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxhën, ministren e atëhershme të Drejtësisë, Dhurata Hoxhën, gazetarë e media.
Pas publikimit të këtij raporti në këtë formë, ende nuk është deklaruar kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala si dhe prokurori që është marrë me këtë rast, Metush Biraj. /Gazeta Sinjali/