image Avdullah Hoti nuk ka të ndalur, emëron edhe një zëvendësministër të ri

Kosovë

Avdullah Hoti nuk ka të ndalur, emëron edhe një zëvendësministër të ri

news image

Jashar Qukiqi është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Këtë vendim të cilin e ka siguruar Gazeta Sinjali e ka nënshkruar kryeministri i vendit, Avdullah Hoti.

Qurkiqi i cili ka qenë edhe këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë, do ta zëvendësojë Erxhan Galushin i cili ditë më parë njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Ndryshe, një prej kritikuesve më të mëdhenj për numrin e madh të zëvendësministrave gjatë Qeverisë Haradinaj, ishte Avdullah Hoti. Por, pas ardhjes në krye të ekzekutivit, edhe Hoti siç duket po e ndjek të njëjtin shembull.

Numri i zëvendësministrave në Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka shkuar nga një deri në pesë për ministri, duke u bërë kështu 49 zëvendësministra në 16 ministri, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit listën me të gjithë emrat e zëvendësministrave në të gjitha ministritë e qeverisë.

Numri më i madh i zëvendësministrave është nga pesë, në katër ministri: në atë të Infrastrukturës, në ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe në ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Ndërkaq në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe në atë të Punëve të Brendshme janë nga katër zëvendësministra.

Nga një zëvendësministër më pak, pra nga tre, janë në ministrinë e Financave, në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe në ministrinë e Shëndetësisë.

Ministritë që kanë nga dy zëvendësministra janë pesë: ministria për Kthim dhe Komunitete, ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ministria e Arsimit dhe Shkencës, ministria e Pushtetit Lokal dhe ministria e Mbrojtjes.

Kurse nga një zëvendësministër është në ministrinë e Drejtësisë dhe në ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Nga 49 zëvendësministra në Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, vetëm 7 janë femra, që i bie 14.28% e numrit të përgjithshëm./Gazeta Sinjali/