image AUV-i i del në mbrojtje Qeverisë, i reagon Hazirit me akuza për çështjen e dënimeve

Kosovë

AUV-i i del në mbrojtje Qeverisë, i reagon Hazirit me akuza për çështjen e dënimeve

news image

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka reaguar pasi kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, akuzoi Qeverinë dhe Inspektoratin e AUV-it se kanë kryer aksion “për mbyllje të dhunshme të lokaleve”, transmeton Gazeta Sinjali.

Ata përmes një postimi në Facebook kanë deklaruar se Qeveria s’ka kompetenca që të ndërhyjë në procesin e shqiptimit të dënimeve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e shqiptimit te dënimeve ndaj personave konkretë, fizikë apo juridikë, nga inspektorët e AUV-it apo zyrtarët e Policisë së Kosovës për shkeljet e masave anti-Covid. Në vend të kësaj, ekzistojnë procedura të qarta ligjore përmes të cilave secili person i tillë mund të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj dënimeve që prentendohet të jenë të kundërligjshme”, thuhet në reagim.

Tutje, AUV-i i del në mbrojtje Qeverisë duke thënë se çdo përpjekje për ta fajësuar atë për dënimet bëhet për fushatë zgjedhore.

“Çdo tentim për ta fajësuar apo shantazhuar Qeverinë lidhur me këtë çështje s’është asgjë përveçse përpjekje për të përfshirë nivelin qëndror në fushatën e zgjedhjeve lokale nga kryetari aktual e në shërbim të tij”, thuhet në reagim.

Kryetari i Gjilanit, shkroi mbrëmë se disa biznese në këtë komunë u ndëshkuan nga “njësitë e Qeverisë”, sipas tij, pa asnjë arsye të qëndrueshme ligjore.

“Sapo u njoftova nga rrugë jo zyrtare dhe nëpërmjet rrjeteve sociale se Njësitë ndëshkuese të qeverisë së Republikës kanë mbyllur restorante e kafiteri, përfshirë Maroa e Mono, duke ndëshkuar bizneset familjare në Gjilan pa asnjë arsye të qëndrueshme ligjore, duke anashkaluar inspekcionin e Komunës dhe kryeshefin ekzekutiv të Komitetit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kryetarin e Komunës”, shkroi Haziri.

Kandidati i LDK-së për ta fituar edhe një mandat në krye të Gjilanit tha se institucionet e shtetit s’duhet të sillen “me ‘shkopin’ e ligjit”, meqë ai qytet ka “zot shpije” dhe lokalet janë prona të dikuj. /Gazeta Sinjali/