image Austria e nis me këmbë të mbarë Botërorin, mposht Jordaninë 3-1

Futboll

Austria e nis me këmbë të mbarë Botërorin, mposht Jordaninë 3-1

news image

Austria e ka nisur me fitore rikthimin e saj në Kupën e Botës pas 28 vitesh, duke mposhtur Jordaninë me rezultat 3-1 në San Francisko, në kuadër të Grupit J. Pavarësisht paraqitjes së mirë të debutuesve jordanezë, ata nuk arritën të shmangin ndeshjen e gjashtë radhazi pa fitore.

Jordania e nisi më mirë takimin dhe rrezikoi që në minutën e dytë, kur Ehsan Haddad goditi rrjetën e jashtme pas një kundërsulmi të shpejtë. Më pas, Musa Al-Taamari vuri në provë portierin austriak Alexander Schlager, ndërsa Odeh Al-Fakhouri detyroi gardianin kundërshtar të devijonte një goditje të rrezikshme nga distanca.

Megjithatë, dominimi i jordanëve nuk u konkretizua dhe Austria kaloi në epërsi në minutën e 20-të. Xaver Schlager asistoi për Romano Schmid, i cili realizoi një gol spektakolar nga jashtë zonës, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës për rezultatin 1-0.

Vetëm dy minuta më vonë, Jordania iu afrua shumë barazimit, por goditja me kokë e Ali Olwan u ndal nga traversa. Skuadra aziatike vazhdoi të krijojë raste deri në fund të pjesës së parë, por pa gjetur rrugën e rrjetës.

Momenti historik për Jordaninë erdhi pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë. Pas një rikuperimi të topit në mesfushë, Noor Al-Rawabdeh asistoi për Ali Olwan, i cili depërtoi nga krahu i majtë dhe realizoi me saktësi për 1-1, duke shënuar golin e tij të 30-të me fanellën e kombëtares.

Austria reagoi menjëherë në kërkim të avantazhit. Marko Arnautovic mendoi se kishte rikthyer epërsinë pas një goditjeje nga këndi, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për prekje të topit me dorë gjatë aksionit.

Megjithatë, në minutën e 77-të, austriakët gjetën golin e dytë. Një harkim i Marcel Sabitzer shkaktoi konfuzion në mbrojtjen jordaneze dhe Yazan Al-Arab e devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë Austrisë avantazhin 2-1.

Në minutat shtesë, Austria vulosi fitoren. Pas një prekjeje të topit me dorë nga Salim Obaid brenda zonës, arbitri akordoi penallti. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Marko Arnautovic, i cili realizoi për rezultatin përfundimtar 3-1.

Kjo ishte fitorja e parë e Austrisë në një Kupë Bote që nga viti 1990, duke e çuar skuadrën e drejtuar nga Ralf Rangnick në kuotën e tri pikëve, po aq sa Argjentina në Grupin J. Në anën tjetër, Jordania vazhdon të ketë vështirësi përballë kundërshtarëve evropianë, duke mbetur pa fitore në tetë ndeshjet e fundit kundër përfaqësueseve të UEFA-s.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/