Zëdhënësja e ministrit të Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, ka bërë të ditur se sot katër diplomat rusë janë detyruar të largohen nga shteti austriak për shkak të sjelljes së tyre në kundërshtim me statusin diplomatik.
Austria tha se diplomatët e Ambasadës ruse në Salsburg duhet të largohen nga shteti deri më 12 prill.
Austria është shteti i fundit në mesin e shumë shteteve të Bashkimit Evropian që kanë marrë vendime të ngjashme gjatë kësaj jave.
Për dallim nga shtetet e tjera të BE-së, përfshirë Francën, Italinë dhe Gjermaninë, Austria nuk tregoi nëse ky vendim ishte për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës dhe mizorive të pretenduara ruse në Ukrainë.
Shtetet e BE-së kanë dëbuar diplomatë rusë pas dënimit ndërkombëtar të mizorive që pretendohet se forcat ruse kanë kryer ndaj civilëve ukrainas në Buça, në veri të Kievit.
Nga Buça janë publikuar fotografi të civilëve të vrarë të shtrirë në rrugë, ku disa prej tyre kishin edhe duart e lidhura pas shpine, raporton REL.
Rusia ka mohuar se trupat e saj kanë kryer këto vrasje dhe që prej fillimit të pushtimit, më 24 shkurt, mohon se shënjestron civilët.