Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, njoftoi se vendi i tij do t’ua ndalojë hyrjen të gjithë të huajve që vijnë nga Kina për shkak të rritjes së rrezikut nga epidemia e koronovirusit.
Shefi i qeverisë australiane tha se Australia do t’i rrisë në shkallën më të lartë paralajmërimet këshilluese për udhëtimet drejt Kinës, duke këshilluar që ky shtet të mos vizitohet fare.
Në vendimin për ndalimin e hyrjes përfshihen të gjithë personat që kanë qenë në Kinë nga data 1 shkurt. Më parë, hyrja në Australi ishte e ndaluar vetëm për personat që kanë qenë në provincën Hubei.
Nga ky vendim janë të përjashtuar shtetasit australianë që kthehen nga Kina, por edhe nga ta do të kërkohet që të qëndrojnë të izoluar për 14 ditë pas hyrjes në Australi, shkruan “Reuters”.
Autoritetet australiane deri më tash i kanë identifikuar dhjetë persona të infektuar me koronavirus, por asnjëri prej rasteve nuk ka përfunduar në mënyrë fatale.
Vendimi i Australisë erdhi vetëm disa orë pas masave të ngjashme edhe nga Shtetet e Bashkuara.