image Atleti i njohur kosovar s'i ndal stërvitjet, ka një mesazh për koronavirusin

Futboll

Atletika/ Atleti i njohur kosovar s’i ndal stërvitjet, ka një mesazh për koronavirusin

news image

Atleti i njohur kosovar, Musa Hajdari po vazhdon stërvitjet edhe në këtë kohë të pazakontë.

Të gjitha aktivitetet sportive janë ndërprerë e gjithashtu edhe stadiumet janë mbyllur, por kjo nuk po e ndalon Hajdarin që të vazhdojë përgatitjen sa më të mire fizike.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Musa Hajdari tregoi se ky është një vit i pazakontë megjithatë nuk i ka ndalur stërvitjet.

“Po gjithsesi është një fillimvit shumë i pazakonshëm duke e parë situatën në të cilën është e gjithë bota për shkak të pandemisë covid 19, kjo sic e dimë e ka përfshi edhe Kosovën.

 Ne nuk i kemi ndal stërvitjet, edhe përkundër situatës që po mbizotëron, normalisht me shumë kujdes dhe jo në kushte normale, pasi që stadiumet janë të mbyllura, e po duhet të gjejmë alternativa tjera.

Intensiteti i stërvitjeve është sipas planit që e kemi paraparë edhe para përhapjes së virusit, po ajo që duhet cekur është që nuk dihet asgjë rreth mbajtjes apo jo të aktiviteteve për këtë vit, duke e parë që eshte vit me aktivitete shumë të rëndësishme si Kampionati Ballkanik, Europian si dhe Lojrat Olimpike Tokyo 2020, por të gjitha janë në një pikëpyetje të madhe rreth zhvillimit të tyre apo jo.

 Ne do të mundohemi me të gjitha mundësitë që kemi të përgatitemi maksimalisht e mbajtja apo jo e aktiviteteve nuk është në dorën tone” – u shpreh mbajtësi i shumë rekordeve të Kosovës, Musa Hajdari.

Ai gjithashtu pati edhe një apel për qytetarët e Republikës së Kosovës në këto kohë.

“Shfrytëzoj rastin t’iu bëj apel të gjithve që të kenë sa më shumë kujdes këto ditë të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, pasi që çdo dalje e pa punë mund të shkaktoj rrezik të përgjithshëm” – tha  Hajdari për Gazetën Sinjali.

Musa Hajdari ishte pjesëmarrës në shumë kampionate evropiane e botërore si dhe në Olimpiadën e Rios./Gazeta Sinjali/