Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar qytetarët se nga 1 prilli i vitit 2021 do të ofrojë një shërbim të ri elektronik, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit, nga 1 prilli përmes Sistemit Elektronik EDI do të mundësohet deklarimi i Tatimeve të Mbajtura në Burim, duke ngarkuar edhe listën e personave të të cilëve iu është mbajtur Tatimi në Burim.
“Për të deklaruar Tatimet e Mbajtura në Burim (TMB) përmes formularit ‘WR’, tatimpaguesi paraprakisht duhet të plotësoj dhe ngarkoj listën e personave për të cilët ka mbajtur Tatimin në Burim, ndërsa pas ngarkimit të listës dhe validimeve të bëra nga sistemi, deklarata tatimore plotësohet nga vet Sistemi Elektronik EDI dhe mundësohet gjenerimi i fletëpagesës së tatimit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Administrata Tatimore e Kosovës, vazhdimisht është në përpjekje që të ofroj lehtësira më të mëdha për tatimpagues. Nga data 01 prill 2021 do të ofroj edhe një shërbim të ri elektronik, ku përmes Sistemit Elektronik EDI do të mundësohet deklarimi i Tatimeve të Mbajtura në Burim duke ngarkuar edhe listën e personave të të cilëve ju është mbajtur Tatimi në Burim.
Nga data 01 prill 2021, deklarimi i Tatimeve të Mbajtura në Burim (TMB) përmes formularit “ËR – PASQYRA MUJORE E MBAJTJES NË BURIM DHE PAGESËS SË TATIMIT NË INTERES, TË DREJTA PRONËSORE, QIRA, FITORE NË LOTARI DHE LOJRA TË FATIT DHE PERSONIN JO-REZIDENT” do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike.
Për të deklaruar Tatimet e Mbajtura në Burim (TMB) përmes formularit “ËR”, tatimpaguesi paraprakisht duhet të plotësoj dhe ngarkoj listën e personave për të cilët ka mbajtur Tatimin në Burim, ndërsa pas ngarkimit të listës dhe validimeve të bëra nga sistemi, deklarata tatimore plotësohet nga vet Sistemi Elektronik EDI dhe mundësohet gjenerimi i fletëpagesës së tatimit.
Më konkretisht, tatimpaguesi duhet të plotësoj listë-pagesën në formatin e dizajnuar nga ATK, e cila përfshinë informatat, si:
NUI/Numrin Fiskal/Numrin personal;
Emrin e biznesit/Emrin dhe Mbiemrin e personit;
Interesin bruto të paguar;
Të drejtat pronësore të paguara;
Fitoret bruto në lotari të paguara;
Qiranë bruto të paguar;
Pagesën bruto për personin jo-rezident;
Pagesën bruto për personin fizik jo-afarist (kategori të veçanta);
Hapësirën e objektit të marr me qira në metra katror (m2); dhe
Vlerën bruto të qirasë mujore.
Deklarimi i formularit “ËR” për periudhën mars/2021 e tutje do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike.
Për plotësimin e saktë të listë-pagesës, ATK ka përgatitur “Udhëzuesin për plotësimin e Listë-pagesës”, të cilin do ta gjeni në dritaren përkatëse ku edhe bëhet deklarimi, andaj ju sugjerojmë që ta shfletoni udhëzuesin paraprakisht.
ATK mban premtimin për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tatimpaguesve!