image ATK del me njoftim për masën e subvencionimit të pagës

Financa

ATK del me njoftim për masën e subvencionimit të pagës

news image

Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se të punësuarit e formalizuar kanë të drejtë që të aplikojnë për subvencionimin e pagës deri më 15 tetor.

Nga kjo masë do të përfitojnë punëtorët që janë rikthyer në punë pasi e kanë humbur punën gjatë pandemisë, punëtorët e formalizuar dhe mbështetja për punësimin e grave.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 13/19, datë 14.07.2021, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, si dhe Vendimet e Ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, gjegjësisht Vendimet për subvencionim sipas masave: 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar, si dhe 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave, Administrata Tatimore e Kosovës, ka zhvilluar aplikacionin dhe tashmë të punësuarit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga këto masa”, thuhet në njoftim.

Njoftimi:

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë të punësuarit e rinj, të cilët janë të deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës për periudhat nga Korrik/2021 e tutje.

Aplikimi bëhet përmes Aplikacionit të publikuar në ueb-faqe të ATK-së www.atk-ks.org.

Pra, përmes ueb-faqes së ATK-së, të punësuarit kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga masat e Pakos së e Ringjalljes Ekonomike, si:

•       Masa 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë – Mbështetje për tre (3) muaj nga njëqind euro (100€);

•       Masa 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar – Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50€);

•       Masa 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave – Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50€);

Aplikimi është i hapur deri më 15 tetor 2021 në ora 24:00.

Aplikacioni “Pako e Ringjalljes Ekonomike – Kërkesë për subvencionim të pagës” është në dispozicion të tatimpaguesve, gjegjësisht të punësuarve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org – tek linku Shërbimet elektronike./GazetaSinjali/