Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime tatimore të pashlyera se mos-bllokimi i llogarive bankare të tyre do të jetë i mundur vetëm deri më datë 30 prill.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, ATK-ja ka bërë të ditur se pas kësaj date, për të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime tatimore, Administrata do të zbatojë procedurat e përcaktuara me legjislacionin tatimor në fuqi.
“Të gjithë tatimpaguesve që kanë obligime tatimore të pashlyera, Administrata Tatimore ju mundëson që të parashtrojnë kërkesë për lidhjen e marrëveshjes për pagesën me këste të obligimeve tatimore nëse dëshmojnë se kanë vështirësi financiare për t’i përmbushur obligimet për shkak të situatës së pandemisë së shkaktuar si pasojë e COVID-19. Ndërsa për të gjithë tatimpaguesit, të cilët nuk kanë vështirësi financiare, Administrata Tatimore, inkurajon që sa më shpejt të përmbushin detyrimet tatimore”, thuhet në njoftim