Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Ilir Murtezaj, ka pritur në takim u.d Drejtorin e Doganës së Kosovës Ibrahim Xhaka me bashkëpunëtorët e tij.
Sipas komunikatës për media, lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, qëllimi i takimit ishte diskutimi i vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në aktivitetet e përbashkëta për luftimin e ekonomisë joformale.
“Veç tjerash, gjatë këtij takimi drejtorët e dy institucioneve kryesore të të hyrave, folën edhe për ndikimin e deritanishëm të pandemisë COVID 19 në efektshmërinë e këtyre dy institucioneve, e cila në masë të madhe ka goditur ekonomin e vendit tonë, e si rrjedhojë deri më tani ka rënie të theksuar të qarkullimit të bizneseve, si dhe pagesës së detyrimeve tatimore e doganore”, thuhet në komunikatën për media.
Drejtorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, si dhe koordinimin e aktiviteteve mes dy institucioneve kryesore për mbushjen e buxhetit të shtetit. /Gazeta Sinjali/