image Asociacioni i Komunave të Kosovës përgënjeshtron ministren Rexhepi: Askush nuk u konsultua me ne për vendimet e 15 prillit

Kosovë

Reagim/ Asociacioni i Komunave të Kosovës përgënjeshtron ministren Rexhepi: Askush nuk u konsultua me ne për vendimet e 15 prillit

news image

Kryetarët e Komunave kanë reaguar përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) lidhur me masat e reja të Qeverisë në detyrë të Kosovës, anti-Covid 19 dhe konsultimet me komunat, shkruan Gazeta Sinjali.

Në reagimin e tyre thuhet se kryetarët e komunave nuk janë konsultuar fare lidhur me masat të cilat do të hyjnë në fuqi më 15 prill.

“Mbrëmë, me datë 13 prill 2020 më kërshërinë më të madhe të gjithë Kryetarët e Komunave dëgjuan masat e reja anti-Covid 19. Në paraqitjen tuaj dhe të znj. Redzepi u theksua që këto masa, që mendohen të zbatohen nga data 15 prill 2020 janë konsultuar edhe 38 komunat e Kosovës. Unë, pas deklaratës Tuaj dhe Ministres Redzepi, jam konsultuar më kolegët e mi kryetarë dhe të gjithë më kanë thënë që askush nga komunat, të cilat ju i përmendët në deklaratat e juaja, nuk është konsultuar me komuna dhe nuk ka patur asnjë proces konsultues me komuna për këto masa”, thuhet në reagimin e AKK-së, të nënshkruar nga zëvendëskryetari i këtij asociacioni, Xhafer Gashi.

Madje, ky asociacion e ka quajtur non-sens ndryshimin e masave brenda ditës të cilat, sipas tyre, kanë shkaktuar kaos, tollovi dhe kundër efekt në betejën për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

“Është për t’u habitur se si po në këtë ditë kur ju i prezantuat masat e reja anti-COVID 19, po në atë ditë dhe një ditë përpara, pra të hënën dhe të dielën më 12 prill 2020 në mëngjes Komunat pranuan vendimet me rregulla tjera nga masat e paraqitura në mbrëmje. Kryetarët e komunave theksojnë që kjo është non-sens se si ka mundësi që rregullat të ndryshohen brenda dite. Duhet theksuar që të gjithë Kryetarët e Komunave me përfaqësues komunal dhe përmes shtabeve komunale të emergjencës janë duke u ballafaquar në mënyrë të drejpërdrejtë me problemet e qytetarëve sa i përket COVID-19 dhe që komunat janë në vijë të parë të ballafaquar me luftën kundër përhapjes së COVID 19”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

AKK thotë se kanë pritur bashkëpunim të sinqertë nga ministrja Rexhepi, e jo anashkalim siç ndodhi me marrjen e këtyre masave, pa konsultim të kryetarëve të komunave.

“Mbesim me shpresë se bashkëpunimi me komuna në të ardhmen nuk do të jetë si në vendimet e mbrëmshme dhe urojmë që Kosova ta tejkalojë këtë situatë sa më lehtë që është e mundur. Mirëpo, ne vlerësojmë që për ta tejkaluar situatën sa më lehtë koordinimi dhe bashkëpunimi me komunat duhet të jetë i sinqertë”, përfundon reagimi./Gazeta Sinjali/