Në mbledhjen e Bordit të Asociacionit i Komunave të Kosovës të mbajtur dje është vendosur që të niset procedura për të paditur Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për nënshkrimin e Kontratave Kolektive për arsim dhe shëndetësi, pa konsultim e dakordim me komunat derisa zbatimi i tyre po bëhet në dëm të buxheteve komunale.
Bordi ritheksoi që Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është kundër Kontratave Kolektive, por është kundër zbatimit të tyre në formën e deritashme duke ua marrë mjetet financiare komunave, kur palë nënshkruese janë Institucionet qëndrore.
Sipas tyre, këto dy kontrata janë nënshkruar pa asnjë konsultim paraprak me Komunat, pa vlerësim të ndikimit buxhetor, pa dakordim me Komunat dhe pa dijeninë e Komunave, derisa obligimet financiare të tyre kanë rënë tërësisht mbi Komunat dhe buxhetet e tyre.
“Në kontratat e nënshkruara thuhet se Qeveria do të planifikoj buxhet por që deri më tani asnjëherë as nuk ka planifikuar e as nuk ka ndarë buxhet për zbatimin e tërësishëm të këtyre dy kontratave“, thuhet në reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes përfaqësuesve të saj në Komisionin e granteve komunale edhe këtë vit kërkoj nga Qeveria, që të planifikohet dhe të ndahet buxhet për zbatimin e këtyre kontratave, por edhe këtë herë kjo kërkesë e AKK-së është refuzuar.