Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe kryetarëve të komunave të Kosovës lidhur me arsyet e ndryshimit të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit mbi Zgjedhjet Lokale, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali përmes burimeve ka siguruar letrën drejtuar Kurtit ku thuhet se kryetarët e komunave kërkojnë që të dijnë arsyet e nisjes së ndryshimeve, pa konsultime paraprake me akterët kryesor të qeverisjes lokale.
“Kryetarët e Komunave kërkojnë të dinë më shumë për arsyet e nisjes së këtyre ndryshimeve pa konsultime paraprake me akterët kryesor të qeverisjes lokale në Kosovë, Kryetarët e Komunave”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar nga AKK.
Sipas kryetarëve të komunave, ndryshimi i këtyre akteve me rëndësi për funksionimin e pushtetit lokal është vlerësuar si hap i ngutshëm.
Letra e plotë:
I nderuar Kryeministër Kurti,
I nderuar Ministër Krasniqi,
Asociacioni i Komunave të Kosovës, Kryetarët e Komunave dhe pushteti lokal në Kosovë është informuara përmes mjeteve të informimit se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka iniciuar procedurat e plotësim-ndryshimit të dy ligjeve me shumë rëndësi për qeverisjen lokale, Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale.
Kryetarët e Komunave kërkojnë të dinë më shumë për arsyet e nisjes së këtyre ndryshimeve pa konsultime paraprake me akterët kryesor të qeverisjes lokale në Kosovë, Kryetarët e Komunave.
Ndryshimi i këtyre dy akteve me shumë rëndësi për funksionimin e pushtetit lokal, nga Kryetarët e Komunave vlerësohet si hap i ngutshëm, sidomos kur kemi parasysh se ky është vit i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës.
Asociacioni i Komunave të Kosovës rithekson gatishmërinë për të qenë pjesë e konsultimeve meritore në vlerësimin për nevojën e ndryshimit të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale.
Për më tepër, procesi i amandamentimit të këtyre dy ligjeve duhet t’i paraprijë një konsultim më i gjerë dhe më përmbajtjesor meqë kemi të bëjmë më njërin nga dy nivelet e qeverisjes në Kosovë dhe si i tillë ka rëndësi të madhe edhe për shërbimet ndaj qytetarëve, e të cilat në masë të madhe janë të determinuara edhe nga aktet që përçojnë këto dy ligje me rëndësi për pushtetin lokal në Kosovë.
Kryetarët e Komunave, përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës edhe një herë shprehin gatishmërinë për t’u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë në mënyrë që veprimet që kanë të bëjnë me pushtetin lokal të jenë të koordinuara e të dakorduara në kohë dhe më pajtimin e dy palëve.
Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe kërkojmë mirëkuptimin Tuaj!./Gazeta Sinjali/