Asambleja Popullore e Republikës Srpska (RS), të premten (10 dhjetor), ka miratuar një seri hapash që fuqizojnë një nismë për të transferuar disa kompetenca nga institucionet shtetërore, me gjithë paralajmërimet nga Perëndimi.
Deputetët e kësaj asambleje votuan me 49 vota për dhe 3 kundër për të nisur një procedurë që entiteti me shumicë serbe brenda Bosnje dhe Hercegovinës të tërhiqet nga ushtria boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemi i taksave dhe sistemi juridik.
Deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja para votimit.
Bosnja ka qenë në një krizë të stërzgjatur politike lidhur me lëvizjet ndarëse nga Republika Srpska, duke ringjallur frikën se marrëveshja e paqes, që i dha fund një lufte të viteve 1992-95, mund të shpërbëhet dhe të kërcënojë stabilitetin rajonal.
Asambleja Popullore e Republikës Srpska (RS), organ ky legjislativ, ombrellë e këtij entiteti në Bosnjë e Hercegovinë, sot (10 dhjetor) ka diskutuar “transferimin e kompetencave nga Bosnjë e Hercegovina në nivelin e Republikës Srpska”, në fushën e taksave indirekte, drejtësisë, mbrojtjes dhe sigurisë, shkruan REL.
Në rend të ditës ishte edhe Deklarata mbi parimet kushtetuese të Republikës Srpska, e cila udhëzon institucionet e këtij entiteti që të hartojnë një kushtetutë, sipas së cilës, Banja Lluka do të ishte kryeqyteti i entitetit, ndërkaq Palle, që është jo shumë larg kryeqytetit, Sarajevës, të jetë kryeqyteti historik.
Deklarata saktëson se “të gjitha ligjet e vendosura nga Përfaqësuesi i Lartë janë antikushtetuese”. Pas dokumenteve të propozuara qëndrojnë presidenti i Republikës Srpska, kryeministri i këtij entiteti, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe shumica parlamentare, e kryesuar nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Millorad Dodikut.
Në Seancën e Asamblesë, Dodik tha se pas përfundimit të debatit, populli do të vendosë me referendum për Kushtetutën e re të Republikës Srpska.
“Bosnjë e Hercegovina po lëviz në një drejtim, për të cilin nuk kemi rënë dakord që nga përfundimi i Marrëveshjes së Dejtonit. Ne kemi një ndjenjë se Bosnjë e Hercegovina po shkon në drejtim të gabuar. Një nga një, kompetencat po ndryshojnë në favor të Bosnjë e Hercegovinës, pa u penduar askush për këtë”, tha Dodik.
Duke folur për çështjen e ushtrisë, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, theksoi se Republika Srpska dëshiron që të tërheqë pëlqimin për Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës.
“Kjo nuk do të thotë se serbët duhet të largohen menjëherë nga to, por ne do të vazhdojmë të negociojmë se cilët janë hapat e ardhshëm”, tha Dodik.
Ai veçoi tri opsione – reduktimin e ushtrisë së Bosnjë e Hercegovinës, miratimin e një ligji mbi ushtrinë e Republikës Srpska ose një ligj për çmilitarizimin e Republikës Srpska.
“Ne duam ta lëmë afatin prej gjashtë muajsh dhe të negociojmë për forcat e armatosura dhe se nuk do të ketë kurrë forca myslimane, si dhe që gjithmonë do të ketë komponentin serb, por edhe atë kroat”, deklaroi Dodik.
“Po vijmë në pozicionin që një ditë do të kemi një ushtri myslimane nën komandën e strukturave myslimane në Bosnjë e Hercegovinë. Ne duhet të refuzojmë dhe të rishikojmë këtë”, theksoi Dodik.
Ai shtoi se në Republikën Srpska ka nisur rishikimi i transferimit të kompetencave në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që të shihet se a mundet “të justifikohet numri i institucioneve të shtrenjta të Bosnjë e Hercegovinës dhe rritja e vazhdueshme e shpenzimeve të administratës në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës”.
Kryetari i Partisë Demokratike Serbe në opozitë, Mirko Sharoviq, në fjalimin e tij para deputetëve të Asamblesë së Republikës Srpska, ka thënë se rruga që po zgjidhet nga partitë në pushtet është katastrofale.
“A do të jetojnë njerëzit në paqe si më parë, a mund të riformohet Ushtria e Republikës Srpska pa luftë dhe ndërhyrje të NATO-s?”, pyeti Sharoviq.
Ai theksoi se kompetencat, për të cilat po diskutohet, nuk mund të kthehen në nivelin e Republikës Srpska pa luftë.
“Mendoj se kjo është futje e Republikës Srpska në një spirale të rrezikshme konflikti me mundësinë e shpërthimit të luftës dhe këtë dua t’ia përcjell anëtarit të Presidencës, Dodikut”, tha Sharoviq, i cili i ka porositur deputetët që t’u thonë “Jo” vendimeve që mund ta vënë në pikëpyetje paqen, sigurinë dhe Marrëveshjen e Dejtonit.
Presidentja e Republikës Serbe, Zhelka Cvijanoviq, duke folur në Asamblenë e Republikës Srpska, akuzoi opozitën se mbante një pjesë të përgjegjësisë për mungesën e unitetit dhe se opozita po pret zgjidhje të gatshme.
Ajo tha se nuk ishin të sakta vlerësimet se shteti po shtyhej buzë greminës.
“Çfarë lufte? Askush nga ne nuk tha se do të ketë luftë. Ju jeni radhitur në anën e atyre që janë në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës që flasin për luftën”, tha Cvijanoviq.
Edhe Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, akuzoi partitë opozitare se “fshihen” dhe janë “frikacakë”.
Pas kritikave dhe akuzave nga presidentja e Republikës Srpska, Cvijanoviq, dhe anëtari i Presidencës së BeH, Milorad Dodik, ligjvënësit e opozitës në Asamblenë Kombëtare të Republikës Srpska e kanë braktisur seancën, ku po diskutohej transferimi i kompetencave nga Bosnjë e Hercegovina tek entiteti Republika Srpska.
“Ne dëgjuam propozuesit dhe përfundimi ynë është se nuk do t’i mbështesim ata në qëllimin e tyre, sepse ne besojmë se kjo është një farsë politike dhe përgatitje për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022”, u tha gazetarëve në sallën e Asamblesë, kryetari i Partisë opozitare Demokratike Serbe, Mirko Sharoviq.
Bartjen e disa prej përgjegjësive, të cilat sipas kushtetutës dhe Marrëveshjes së Dejtonit, i takojnë Bosnjës ndaj Republikës Srpska, kohëve të fundit e kishte paralajmëruar Dodiku, pasi që në Bosnje, me ligj, u ndalua mohimi i gjenocidit.
Politikanët nga Republika Srpska e kundërshtuan këtë ligj, të cilin e kishte vendosur ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinën, Valentin Inzko, dhe filluan bllokadën e punës në institucionet shtetërore. /GazetaSinjali/