image “As rusët s’po e bëjnë këtë”, serbët vendosin postere të Putinit në Beograd për ditëlindjen e tij

Rajon

“As rusët s’po e bëjnë këtë”, serbët vendosin postere të Putinit në Beograd për ditëlindjen e tij

news image

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dje festoi ditëlindjen e tij të 70-të në izolim pothuajse të plotë nga bota, përcjell Sinjali.

I vetmi që është kujtuar për ta uruar ishte diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ndërsa lideri autoritar, presidenti i Bjellorusisë Aleksander Lukashneko i bëri dhuratë një traktor.

Por urimet nuk i mori vetëm nga këto vende, pasi që një poster i tij u shfaq në një shtet ballkanik i cili po synon që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Bëhet fjalë për një poster që është vendosur në Beograd të Serbisë me mbishkrimin “Gëzuar ditëlindjen Presidentit Vladimir Putin nga vëllezërit serbë!”

Këto postere ishin të nënshkruara nga një grup i  krahut të djathtë të cilët janë pro-rus dhe kjo shfaqje nuk u kalua pa e marrë vëmendjen e mediave të huaja.

“Putini mbetet popullor në Serbi pavarësisht sulmit ndaj Ukrainës dhe shumë në vendin ballkanik besojnë se presidenti rus u provokua nga Perëndimi për të nisur pushtimin”, shkruan AP, derisa raporton për këtë ngjarje.

Gazetarja Una Hajdari ka reaguar për këtë ngjarje përmes llogarisë së saj në Twitter duke thënë se kur mendon se politika e jashtme e Serbisë ka rënë krejt në fund dhe nuk mund të njolloset më shumë imazhi i saj, në Beograd shfaqen billborde që urojnë Putinin për ditëlindjen e tij të 70-të.

“Ah Serbi. Kur mendoni se politika e jashtme e vendit tashmë ka rënë krejt në fund dhe imazhi i saj nuk mund të njolloset më shumë, në Beograd shfaqen billborde që urojnë Putinin për ditëlindjen e tij të 70-të”. ka shkruar ajo në Twitter.

Këtë postim e ka shpërndarë në profilin e saj edhe gazetarja britanike-amerikane, Amie Ferris Rotman, duke theksuar që as rusët nuk janë duke e bërë këtë.

/GazetaSinjali/