Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se deputetët e Parlamentit Evropian dhe të Parlamentit të Kosovës duhet të vazhdojnë të ndërtojnë besimin me shtetet anëtare të BE-së që të arrihet synimi i liberalizimit të vizave për Kosovën, raporton Gazeta Sinjali.
Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ai nuk dha ndonjë shpjegim se pse nuk po liberalizohen vizave për kosovarët, pavarësisht se Komisioni Evropian ka vendosur para tre vjetëve që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
“Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Raporti i Komisionit Evropian dhe Presidentja e KE-së, von Der Leyen, janë shumë të qartë në këtë pikë. Komisioni qëndron prapa rekomandimit të vitit 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”.
“Propozimi i Komisionit Evropian është përkrahur po ashtu nga Parlamenti Evropian, por akoma është nën shqyrtim në Këshillin e BE-së. Unë llogaris në përkrahjen e të gjithë deputetëve të Parlamentit Evropian dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës të vazhdojnë të ndërtojnë besim me shtetet anëtare të BE-së që më në fund të arrihet ky qëllim”, ka thënë ambasadori Szunyog.
Ai foli edhe për Raportin e Progresit që theksoi ngecje në miratim të disa ligjeve, ndërsa ka bërë thirrje që tash kjo të ndryshojë. Ai tha se e inkurajon qeverinë e re që të vazhdojë punën në reformat evropiane./GazetaSinjali/