image Arsyetimet e Ministrisë së Infrastrukturës për mosrregullimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë tash e 5 muaj

Sociale

Arsyetimet e Ministrisë së Infrastrukturës për mosrregullimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë tash e 5 muaj

news image

Po bëhen 5 muaj prej kur një pjesë e rrugës nacionale Mitrovicë- Prishtinë ka mbetur në gjendje të rëndë. Rruga u shemb si shkak i gërryerjes afër saj nga një kompani private. Por deri më tash nuk është bërë asgjë në intervenimin për rregullimin e saj. Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe nga Ministria e Infrastrukturës.

Nga Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë për Sinjalin se krejt çka është bërë deri më tani është marrja e mostrave për analizat e dheut, shkruan Gazeta Sinjali.

“Punimet për përmirësimin e kësaj situate nuk kane filluar ende. Janë marrë mostrat për t’u bërë analizat laboratorike të dheut. Për këtë ministria ka caktuar një komision i cili është në përcjellje të këtyre procedurave”, thuhet në përgjigjen e MPHI-së për Sinjalin.

Se kur pritet të rregullohet kjo rrugë, nga ky departament kanë thënë se është caktuar një komision për t’i kryer procedurat e nevojshme.

“Rregullimi i saj do të bëhet pas analizave laboratorike të dheut, llogaritjes se paramasës dhe parallogarisë për koston e duhur”, thuhet shkurt në përgjigje, raporton Sinjali.

Krejt çka është intervenuar në atë pjesë deri më tash është ndryshimi i lëvizjes së veturave.

 “Njësitë Policore nga Komunikacioni Rrugor, gjatë patrullimit, me datë 31.12.2020, kanë vërejtur plasaritjet e rrugës në vendin ku degëzohet dalja e rrugës nga autostrada me rrugën nacionale Mitrovicë- Prishtinë. Njësia Rajonale e komunikacionit rrugor i ka marrë masat për të siguruar këtë pjesë të rrugës, që të mos vije deri të ndonjë aksident rrugor. Njësia Rajonale e policisë rrugore, së bashku me drejtorin e rrugëve, ka ndryshuar lëvizjen e automjeteve të cilat vijnë nga autostrada, duke i orientuar në drejtim të fshatit Mazgit (drejtimi Prishtinë-Mitrovicë), dhe në rreth rrotullimin që gjendet në fshatin Mazgit (afër Tyrbes së Sulltan Muratit), të vazhdohet në drejtim të Prishtinës. Dëmtimi i kësaj rruge ka ndodhur si pasojë e punimeve të cilat janë kryer nga një kompani private, në një pronë private pranë rrugës nacionale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në krahun e djathtë të rrugës”, kanë thënë nga Policia.

/GazetaSinjali/