Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i personave të infektuar me koronavirus në tërë botën ka arritur në 1 milion e 348 mijë, ndërsa kanë vdekur 74 mijë e 816 persona. Mbi 284 mijë njerëz të infektuar janë shëruar.
Shtetet e Bashkuara prijnë bindshëm sa i përket numrit të infektimeve, me 368 mijë persona të infektuar. Pas tyre vijnë Spanja me mbi 136 mijë raste dhe Italia me mbi 132 mijë.
Me 16 mijë e 523 të vdekur, Italia vazhdon të jetë e para në botë për numrin e rasteve fatale të virusit. Pas saj radhitet Spanja me mbi 13 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me rreth 11 mijë raste.
Derisa në Kinë, në vendin ku shpërtheu ky virus, ka më shumti persona të shëruar, gjithsej 77 mijë, pastaj vjen Spanja me mbi 40 mijë dhe Gjermania me rreth 36 mijë të shëruar.
Kina për herë të parë nuk ka shënuar asnjë vdekje, ndërsa numri i infektimeve të reja në Itali ka rënë në masë të konsiderueshme. Edhe Gjermania ka shënuar rënie të rasteve të reja, duke paralajmëruar lehtësim të masave të izolimit./Gazeta Sinjali/